Bajrami: Kush premton rritje të pagave gënjejnë, i reagon Hamza i PDK-së

Bajrami: Kush premton rritje të pagave gënjejnë, i reagon Hamza i PDK-së

Ministrja në detyrë e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, e ka quajtur gënjeshtër të madhe premtimet për rritje të pagave në sektorin publik, transmeton Insajderi.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme për miratimin e projekt-buxhetit për vitin 2021, Bajrami tha se buxheti është i dobët për shkak të pandemisë COVID-19 dhe jo të qeverisë.

“Nëse ky buxhet iu duket i dobët është i dobët për shkak të pandemisë sepse kanë ra të hyrat e rregullta prej 300 milionë. A e dinë që veç deri në fund të shtatorit i ka ra qarkullimi për 1 milion euro, jo për faj të qeverisë, por po faj të pandemisë. Edhe kushdo të kishte qenë në ministrinë e Financave nuk kishte mundur të bënte ndryshe…është e vërtet që buxheti është i dobët, është e vërtet që ne nuk po dalim këtu me premtu rritje të pagave, sepse do të ishte një gënjeshtër e madhe me dalë me premtu rritje të pagave për policët, mjekët, zjarrfikësit e të gjithët të tjerët”, tha ajo.

Ani pse shprehu gatishmërinë për ta votuar projekt-buxhetin, deputeti nga PDK, Bedri Hamza kritikoi këtë të fundit si të dobët, duke shtuar se partia të cilës i takon ka dëshmuar edhe më parë se ka rritur pagat.

“Asnjëherë buxhet ma dobët të papërgatitur nuk kam pasur në dorë. Pse do të votojmë, do të botojmë për interes të vendit dhe qytetarëve të vendit…Rritja e pagave, ne e kemi bërë të kaluarën kemi dëshmu, shumë herë m’u kanë thanë që s’behët, por është bërë. Edhe të ardhmen ka me u bo dhe duhet të gjendet format për rritje të buxhetit”, tha ai. /Insajderi.com