Vuçiq thotë se janë të gatshëm t’i dërgojnë vaksina edhe shqiptarëve

Vuçiq thotë se janë të gatshëm t’i dërgojnë vaksina edhe shqiptarëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se “Serbia do të vazhdojë të kujdeset për popullsinë e saj në Kosovë”, transmeton Insajderi.

Në konferencën për shtyp të fundvitit, Vuçiq tha se janë të gatshëm të dërgojnë vaksina edhe për shqiptarët.

“Ne do të vazhdojmë të kujdesemi për njerëzit tanë në Kosovë dhe ne jemi të gatshëm t’u dërgojmë ilaçe dhe vaksina edhe shqiptarëve, thjesht mos na ndaloni dhe thoni se kemi ofenduar dikë,” shtoi Vuçiq, raporton Tanjug.

Duke komentuar deklaratat e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla e cila tha se Serbia shkeli marrëveshjen e Brukselit duke dërguar vaksina në veri të Kosovës, ai pyeti se cila pikë e marrëveshjes ishte shkelur.

“Më tregoni se cila pikë e marrëveshjes së Brukselit është shkelur? A e ka pyetur dikush zonjën Haradinaj se çfarë është çështja? Njoftimet e tyre se ata po hyjnë në qendrat tona shëndetësore, se po vjedhin vaksinat tona janë përtej arsyes. Më tregoni se ku është shkelur marrëveshja e Brukselit.” “Serbia ka përmbushur të gjitha detyrimet nga marrëveshja, por ata nuk e kanë përmbushur një, themeloren, formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, deklaroi ai. /Insajderi.com