Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka dalë me kërkesë për deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët sot pritet ta miratojnë në lexim të dytë projektbuxhetin për vitin 2021, njofton Insajderi.
Përmes një komunikate për media, FSSHK bën të ditur se Këshilli Drejtues në mbledhjen e mbajtur të hënën ka marrë vendim që t’u adresohet të gjitha grupeve parlamentare të të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës me kërkesë që në leximin e dytë të projektbuxhetit për vitin 2021 të përfshihen shtesat në paga.
“Këshilli Drejtues bën apel te grupet parlamentare që t’i lënë anash interesat e ngushta dhe njëherë të bëhen bashkë për punëtorët shëndetësorë, duke miratuar me buxhet shtesat, të cilat do të vlejnë deri në përfundimin e pandemisë COVID-19, respektivisht miratimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik”, thuhet në komunikatë.
Nga kjo federatë thonë se mosmiratimi i shtesave do të mbetet përgjegjësi e të gjithë deputetëve pa dallim partie.
“Apel i fundit, mos i dëmtoni punëtorët shëndetësorë, nuk kërkojmë lëmoshë, por dinjitet dhe mirëqenie”, thuhet në fund të komunikatës. /Insajderi.com