12 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një shpërthimi të një bombole gazi në rrugën Prishtinë-Ferizaj, afër lagjes “Marigona”, njofton Insajderi.
Rastin për Gazetën Online Insajderi e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 12:00 brenda një objekti në rrugën Prishtinë –Ferizaj, ka ndodhur një shpërthim( dyshohet bombolë gasi). Bazuar në të dhënat e deritanishme dyshohet se në këtë rast janë lënduar 12 persona, të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Prishtinë”, ka thënë ajo.
Sipas Ahmeti në vendin e ngjarjes aktualisht janë zjarrfikësit dhe njësitet policore që janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes.
“Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit si dhe të gjitha njësitë e nevojshme policore për ekzaminimin e vendit të ngjarjes të cilët aktualisht po punojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat të cilat kanë të bëjnë me rastin”, ka thënë tutje Ahmeti. /Insajderi.com