Inspektorati Policor thotë se është duke mbledhur informata për rastin ku policja shihet duke rrahur një vajzë

Inspektorati Policor thotë se është duke mbledhur informata për rastin ku policja shihet duke rrahur një vajzë

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka filluar grumbullimin e informacioneve lidhur me rastin e një zyrtarje policore e cila është filmuar të martën në Prishtinë teksa e keqtrajtonte një vajzë që dyshohet të jetë e mitur.

Në një përgjigje për Insajderin nga IPK-ja kanë thënë se do të ndërmerren të gjitha veprimet tjera në përputhje me misionin ligjor që kanë.

“Inspektorati Policor i Kosovës pas publikimit të videos në fjalë ka filluar të grumbullojë informata lidhur me këtë rast. Veprimet tjera do të ndërmirren në përputhje me misionin ligjor të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë filmuar teksa kishin ndaluar në rrugë dy vajza që dyshohen të jenë të mitura, me ç’rast shihet zyrtarja policore duke goditur njërën nga vajzat.

Në video po ashtu shihet se zyrtari tjetër policor vetëm qëndron duke e shikuar kolegen e tij.

Nuk dihet se për çfarë arsye janë ndaluar vajzat, e as arsyeja e reagimit të tillë nga ana e pjesëtarëve të policisë./Insajderi.com