Haziri: Lista e LDK-së do të jete e përbërë nga persona me integritet

Haziri: Lista e LDK-së do të jete e përbërë nga persona me integritet

Nën udhëheqjen e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, është mbajtur takimi me strukturat e partisë, përfshirë kryesinë, kryetarët e nëndegëve, Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë, ku janë zhvilluar disa takime në grupe më të vogla për shkak të masave anti-COVID-19, njofton Insajderi.

Qëllimi i takimit ka qenë përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, ku edhe është aktivizuar shtabi zgjedhor, të cilit do t’i prijë Lutfi Haziri

Haziri ka konfirmuar se janë aktivizuar rreth një mijë veprimtarë në Gjilan, të cilët do të punojnë natë e ditë për fitoren e madhe.

“Të gjithë burrave e grave, të rinjve e të rejave, ju them faleminderit pafund për mbështetjen e vazhdueshme. Lista e LDK-së për deputetë do të jetë listë reprezentative e me integritet të lartë, të cilët komunës sonë do t’i sjellin programe për t’ua bërë jetën më të mirë qytetarëve. Unë apeloj të gjithë rugovistët që si gjithmonë të punojnë natë e ditë, për ta bërë dallimin e madh me partitë tjera”, ka thënë Haziri/Insajderi.com