Hoti i ofron ndihmë me të gjitha kapacitetet homologut kroat

Hoti i ofron ndihmë me të gjitha kapacitetet homologut kroat

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka ofruar mbështetjen e institucioneve të Kosovës për Kroacinë, për t’u përballur me pasojat e tërmetit 6.4 ballësh që goditi dje Kroacinë, njofton Insajderi.

Këtë ndihmë me të gjitha kapacitetet, Hoti i ofoi homologut kroat, Andrej Plenkoviq, me anë të një letre të dërguar ku tutje i ka shprehur keqardhjen për viktimat e tërmetit.

‘’Më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e jetëve dhe shkatërrimet e mëdha nga tërmeti që goditi rajonin e Petrinjes dhe u ndje deri në Zagreb e rajone të tjera. Si Kryeministër i Kosovës, unë do të doja të ofroja mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si një forcë e shquar dhe e trajnuar mirë në misionet e kërkim-shpëtimit, e cila është e gatshme të ndihmojë qytetarët dhe autoritetet kroate në tejkalimin e pasojave të tërmetit’’ thuhet në letrën e Kryeministrit Hoti, dërguar homologut kroat Plenkoviq.

Kryeministri Hoti ka shprehur besimin se Kroacia do ta kalojë këtë fatkeqësi natyrore sa më trimërisht të jetë e mundur. Ndërsa ka theksuar gatishmërinë e Kosovës për të ofruar ndihmë me të gjitha kapacitetet.

‘’Si vend mik dhe si aleat, Kosova qëndron në solidaritet të plotë me Kroacinë dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka në kapacitetet tona për të lehtësuar vuajtjet dhe për të tejkaluar sa më shpejtë pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore. Populli i Kosovës është këtu për të ndihmuar dhe kjo ndihmë ofrohet me gjithë zemër’’ thuhet tutje në letrën e Kryeministrit Hoti.

Po ashtu Ministri i  Mbrojtjes, z. Anton Quni dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, kanë zhvilluar biseda me institucionet homologe nga Republika e Kroacisë, të cilave u kanë shprehur gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për të ofruar ndihmën e nevojshme për tejkalimin sa më të shpejtë të pasojave që ka lënë tërmeti. /Insajderi.com