Lushtaku: Koalicion me Vetëvendosjen pa Albin Kurtin

Lushtaku: Koalicion me Vetëvendosjen pa Albin Kurtin

Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke e përjashtuar mundësinë e koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Nismën Socialdemokrate, transmeton Insajderi.

Kështu ka thënë, nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku, derisa i është kundërpërgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që këta të fundit kanë deklaruar se hyjnë në koalicion me PDK-në vetëm nëse Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk janë më në këtë parti.

Lushtaku ka deklaruar se PDK bën koalicion me VV-në, vetëm nëse Albin Kurti, nuk është në krye të saj.

“Partia Demokratike ka vendosur që të shkojë e vetme në zgjedhje. Unë së paku me opinionin që e kam jo. Unë nuk mundem me thënë për momentin asgjë, ata kanë thënë se nëse nuk është Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ne kemi mundësi me bë koalicion, edhe ne i themi Vetëvendosjes pa Albin Kurtin edhe ne jemi të gatshëm me hy me Vetëvendosjen”, ka thënë Lushtaku për Front Online.

Gjatë ditës se djeshme kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se janë në pritje të PDK-së për koalicion parazgjedhor, për çka Lushtaku mohon se do të ketë koalicion parazgjedhor me ta.

“Nuk ka qenë disponimi vetëm për Nismën, por ka qenë për të gjitha partitë politike, do të thotë është një opinion që ne duhet me garu të vetëm dhe ata na kanë dhënë shumë arsye pse duhet më garu vetëm kësaj radhe. Kështu që nuk mund të jap më shumë detaje”, është shprehur Lushtaku. /Insajderi.com