Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka pritur në takim zyrtar homologun e saj nga Italia, Luigi di Maio.
Haradinaj ka thënë se ka diskutuar me të për një bashkëpunim të për mundësinë e sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës kundër COVID-19 për qytetarët kosovarë.
“Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpres në Prishtinë sot Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, z.Luigi di Maio, i cili po qëndron në Kosovë për të përshëndetur trupat italiane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it”, ka shkruar Haradinaj.
“Me homologun italian kishim një takim të frytshëm, ku diskutuam për situatën aktuale në Kosovë dhe zhvillimet në rajon, e sidomos për bashkëpunimin e mirë në shumë fusha mes Kosovës dhe Italisë, dy vende që vazhdojnë të fuqizojnë marrëdhëniet e shkëlqyera mes vete”.
“Pashmangshëm një prej temave qendrore të takimit ishte situata me pandeminë në të dyja shtetet, ku mora përkrahjen e Ministrit Di Maio për bashkëpunim të ngushtë me Italinë për mundësinë e sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës anti-covid 19 për qytetarët tanë”, bën të ditur tutje ajo.
Haradinaj tha se Di Maio i ka premtuar që shteti italian po punon intensivisht me Komisionin Evropian për të krijuar një linjë të veçantë për sigurimin e vaksinave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në pjesën e parë të vitit 2021. /Insajderi.com