Vuçiq vë në funksion gazsjellsin rus “Rrjedha turke”

Vuçiq vë në funksion gazsjellsin rus “Rrjedha turke”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vënë në funksion një pjesë të gazsjellësit të premten, gazsjellës ky i cili kalon përmes territorit të Serbisë, dhe i cili do ta lidhë atë me gazsjellësin “Rrjedha turke”, transmeton Insajderi.

Një gjë e tillë raportohet të ketë ndodhur pas më shumë se një viti e gjysmë prej kur kanë nisur punimet për ndërtimin e tij.

Vuçiqi, në vendin Gospogjinci të Vojvodinës deklaroi të premten se ky seksion i gazsjellësit është i një rëndësie të madhe për industrinë dhe përparimin e ekonomisë serbe.

Ai theksoi se Serbia do të furnizohet me gaz me çmim të ulët dhe se gazi do të dërgohet në shumë komuna ku nuk është aktualisht në dispozicion dhe se kjo do t’i bëjë ato vende më tërheqëse për investitorët.

“Serbia, me mbështetjen e partnerëve rusë, arriti të sigurojë furnizimin me gaz për territoret e saj”, tha Vuçiqi, raporton REL.

Hapjen e gazsjellësit presidenti i Serbisë, Vuçiq, e ka paralajmëruar më 25 dhjetor.

“Ka kaluar gazi provues. Nuk kemi bërë shumë zhurmë lidhur me këtë, por më 30 dhjetor do të nisë gjithçka”, pati thënë Vuçiq.

Ai më parë kishte deklaruar se pas futjes në punë të “Rrjedhës turke”, mbetet të punohet më tutje në gazifikimin dytësor, gjegjësisht që gazi të dërgohet deri në Vranjë, në jug të Serbisë, në Valevë, në pjesën qendrore dhe perëndimore, si dhe te pikat në lindje dhe jugperëndim të vendit. /Insajderi.com