Pacolli: Partitë tjera nuk kanë forcë për ta ndryshuar Kosovën

Pacolli: Partitë tjera nuk kanë forcë për ta ndryshuar Kosovën

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se si parti politike janë të bindur se opsionet e tjera (partitë e tjera politike) nuk kanë shije për zhvillim dhe forcë për ta ndryshuar Kosovën, njofton Insajderi.

Ai është shprehur i bindur se “AKR-ja nuk ka hequr dorë nga qëllimi i saj i fillestar për ndërtimin e një Kosove ku zhvillimi është kryefjala, ekonomia është platforma dhe shija është esenca”.

Këto komente Pacolli i ka bërë pas një takimi që ka zhvilluar me strukturat e partisë së tij.

Ai tha se janë mobilizuar thellësisht për ta shndërruar AKR-në në një emërues të pashmangshëm të së ardhmes politike në Kosovë.

“Ne në AKR jemi të vetëdijshëm që në Kosovë ka opsione të tjera politike, por është treguar tashmë, më shumë se një herë, se nuk e kanë shijen për zhvillim, nuk e kanë durim për tolerancë, nuk kanë fuqi për bashkëpunim dhe nuk kanë forcë për të ndryshuar”, ka shkruar Pacolli ne Facebook./Insajderi.com