Agani: Ligji për transplantim organesh u tërhoq nën dyshimet për keqpërdorime të jashtëzakonshme

Agani: Ligji për transplantim organesh u tërhoq nën dyshimet për keqpërdorime të jashtëzakonshme

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka deklaruar se derisa ishte në krye të këtij dikasteri, një prej prioriteteve të tij ishte miratimi i legjislacionit për transplantimin e organeve, por që i njëjti projektligj është tërhequr nën dyshimet se mund të hapet mundësia për keqpërdorime të jashtëzakonshme që mund ta rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe cenojnë autoritetin e vendit, transmeton Insajderi.

Kështu u shpreh ai për emisionin “Info Magazinë” të Klan Kosovës, ku tutje ka shtuar se ishte i informuar se ka pasur vërejtje nga institucionet ndërkombëtare lidhur me këtë projektligj, meqë Kosova nuk është ende e gatshme për të zbatuar atë.

“Unë asnjëherë nuk kam pasur takim apo shkresë zyrtare nga EULEX apo ndonjë trup tjetër ndërkombëtar në Kosovë i cili ka pasur kërkesë për tërheqjen e projektligjit në fjalë. Ju e dini se MSH punon ngushtë me Komisionin Parlamentar për Shëndetësinë në procedurat e miratimit të ligjeve dhe natyrisht se ne kemi pasur konsultime të shpeshta mes nesh. Komisioni merr mendime dhe opinione të vendimmarrësve të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë në procesin e amandamentimeve të projektligjit”, ka thënë Agani.

“Kam qenë i informuar se ka pasur vërejtje nga ana institucioneve ndërkombëtare lidhur me këtë projektligj në kuptim se Kosova ende nuk është e gatshme për të zbatuar këtë projektligj dhe se mund të hapet mundësia për keqpërdorime të jashtëzakonshme që mund ta rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe ta cenojnë autoritetin e vendit”, ka shtuar tutje ai.

Agani e ka thënë se gjatë vitit 2012-2014 ka ekzistuar edhe raporti i Dick Marty-t që e ka akuzuar udhëheqësin politik, Hashim Thaçin, për transplantim organesh.

“Ka qenë një farë aure që e ka rrethuar miratimin e këtij projektligji dhe në atë atmosferë Qeveria e Kosovës në konsultim të ngushtë me grupe parlamentare ka marrë vendim që në këtë moment të shkojmë me fazën e parë të zbatimit të këtij projektligji – nëse e shihni projektligjin për inde dhe qeliza është 95% i njëjti me atë për transplantim organesh”. /Insajderi.com