Zemaj: Kemi siguruar 500 mijë vaksina anti-COVID’19 nga Pfizer

Zemaj: Kemi siguruar 500 mijë vaksina anti-COVID’19 nga Pfizer

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se Kosova ka siguruar 500 mijë vaksina kundër COVID-19 nga kompania amerikane Pfizer, njofton Insajderi.

Konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave, Zemaj tha se e kanë marrë nga përfaqësuesit e Pfizer gjatë një takimi virtual të mbajtur të martën me ta.

“Siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, MSh ka qenë e angazhuar prej muajsh në shumë drejtime për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, me qëllim të përmbushjes së obligimeve që kemi ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së shëndetit publik të tyre”, ka njoftuar Zemaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, ai ka bërë të ditur se krahas kësaj, Kosova do të marrë nga mekanizimi Covax edhe 360 mijë vaksina falas për 20 për qind të popullatës.

“Vaksina do të sigurohen për të gjitha grupet e popullatës që duhet të mbulohen me vaksinim sipas projeksioneve të IKSHPK-së. Vaksina kundër COVID-19, do t’u jepet falas qytetarëve të vendit tone”, ka thënë tutje ministri./Insajderi.com