Lidhja Demokratike e Kosovës ka zbuluar sloganin të cilin do ta përdorë për fushatë zgjedhore, njofton Insajderi.
Këtë e bëri të ditur ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, përmes një postimi në Facebook.
“Mbesim në Lidhje” është motoja e sloganit të LDK’së që shfaq një zemër e që përkon me datën e zgjedhjeve 14 shkurt që ndryshe njihet si dita ndërkombëtare e të dashuruarve.
Gjatë ditës së djeshme u bë e ditur edhe data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat do të mbahen të dielën e 14 shkurtit.
Kjo datë u caktua nga presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, menjëherë pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me votën e deputetit Etem Arifi për krijimin e Qeverisë me në krye Avdullah Hotin. /Insajderi.com