Serbia do të ndërtojë spital në Graçanicë pas 36 banesave të ndërtuara pa leje në Mitrovicë

Serbia do të ndërtojë spital në Graçanicë pas 36 banesave të ndërtuara pa leje në Mitrovicë

Drejtori i të Ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë’, Petar Petkoviq, ka deklaruar se ndarja e 36 banesave në veri të Mitrovicës, të ndëruara me fonte të Serbisë, është “vetëm një pikë loti në det”, transmeton Insajderi.

Petkoviq, në një intervistë për uebfaqen e Partisë Përparimtare të Serbisë, që udhëhiqet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në radhë është ndërtimi i një spitali në Graçanicë në vlerë mbi gjashtë milionë euro.

“Para nesh është ndërtimi i spitalit në Graçanicë. Është e natyrshme që po i gëzohem kësaj, pasi populli ynë pas një dekade neglizhencë, mund ta shohë se Serbia sinqerisht kujdeset për qytetarët e saj”, ka thënë Petkoviq.

Petkoviqi ka thënë se “me ndihmën e Serbisë është luftuar edhe COVID-19” në mjediset ku jetojnë serbët.

Qeveria e Serbisë të mërkurën ndau 36 banesa për çiftet serbe në Mitrovicë të Veriut. Këto banesa, janë pa leje ndërtimi dhe pa pëlqim urbanistik nga institucionet e Kosovës, mirëpo ato dhe shumë të tjera janë ndërtuar viteve të fundit. /Insajderi.com