Buxheti për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë pesë milionë e 650 mijë euro, njofton Insajderi.
Kështë është vendosur në mbledhjen e sotme të mbajtur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët kanë miratuar planin e buxhetit.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se mjetet të cilat nuk do të shpenzohen do të kthehen prapa pas zgjedhjeve.
“Projeksion i buxhetit është 5 milionë e 650 mijë, kjo do të kërkohet që nga dita e nesërme nga Qeveria që të bëhet alokimi që të mund t’i fillojmë procedurat, ky është totali i buxhetit të projektuar, është projeksion që nuk do të thotë se i tërë ky buxhet do të harxhohet, si zakonisht KQZ gjithmonë i kthen pjesën e mbetur të parave pas përfundimit të zgjedhjeve”, ka theksuar ajo.
Në këtë mbledhje është marrë vendimi që fushata zgjedhore të fillojë më tre shkurt dhe të mbarojë me 12.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, mbrëmë ka shpallur zgjedhjet e parakohshme për datën 14 shkurt të këtij viti.
Ky vendim erdhi pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo legjitimi dhe ka rekomanduar shpalljen e zgjedhjeve të reja. /Insajderi.com