MASH njofton se mësimi nis më 18 janar, SBASHK-u thotë se s’është e sigurt

MASH njofton se mësimi nis më 18 janar, SBASHK-u thotë se s’është e sigurt

Derisa Ministria e Arsimit thonë mësimi do të fillojë nga data 18 janar, në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit thonë se kjo nuk është e sigurt, transmeton Insajderi.

Kjo pasi SBASHK-u po pret që deri javën tjetër të gjendet zgjidhje për dy kërkesat e tyre: nënshkrimin e kontratës kolektive dhe nga 100 euro shtesë për punëtorët e arsimit njësoj sikurse mjekët dhe policët.

“Sipas vendimit të ministrit për ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2020/2021 në arsimin parauniversitar, periudha e dytë e vitit shkollor fillon më datë 18.1.2021. Periudha e pushimit është duke u shfrytëzuar për dezinfektim dhe përgatitje të shkollave përmes shpërndarjes së materialeve mbrojtëse dhe higjienike. MASH-i ka filluar procedurat për përkrahje të shkollave në ofrim të kushteve të sigurta për mbajtje të mësimit me prezencë”, thuhet në përgjigjen e MASH-it derisa njoftojnë se janë në komunikim të vazhdueshëm me SBASHK-un, raporton Koha.

Ndërkaq, kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se java e ardhshme do të jetë vendimtare, ku do të dihet saktë nëse mësimi do të nisë sipas kalendarit shkollor apo do të futen në grevë. Vendimin do ta marrë Këshilli drejtues i saj.

“Nëse këto nuk ndodhin gjatë javës së ardhshme, kam frikën se me takimin dhe komunikimin që do ta bëjmë rishtazi me Këshillin drejtues dhe kryetarët e niveleve komunale e të universiteteve do të ketë kërkesa që të ketë veprime sindikale dhe unë e stafi jemi të obliguar t’i respektojmë vendimet e Këshillit drejtues. 18 janari, a do të fillojë mësimi a jo, varet nga vullneti i Qeverisë Hoti dhe i ministrit Likaj”, ka thënë Jasharaj.

MASH-i ka bërë të ditur se ketë vit nuk do të ketë pushim pranveror në shkolla, derisa edhe ditët e humbura në gjysmëvjetorin e parë do të kompensohen të shtunave. /Insajderi.com