Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Qoqaj, thotë se ka pranuar një letër të djalit të të dënuarit me 14 vjet burg, Fahredin Gashit, Albionit, i cili ka kërkuar lirimin me kusht për babanë e tij. Me të pranuar këtë letër, Qoqaj deklaron se menjëherë ka kërkuar nga koordinatori i panelit për lirim me kusht, të shohë për mundësitë e këtij rasti.
Kështu deklaroi ai në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, ku tutje tha se ky panel përbëhet nga gjyqtarët të cilët nuk janë anëtarë të KGJK-së.
“Po sot e kam pranuar një letër nga Albion Gashi lidhur me rastin e përshkruar nga ju, për të cilin menjëherë kam kërkuar nga koordinatori i panelit për lirim me kusht, të shoh se për çka bëhet fjalë”, është shprehur Qoqaj.
“Kërkesat me kusht i trajton Paneli për Lirim me Kusht, i cili funksionon në KGJK, panel ky që përbëhet nga gjyqtarë të cilët nuk janë anëtarë të KGJK-së. Pra, çdo kërkesë e shqyrton ky panel”, ka thënë tutje ai.
Qoqaj thekson se as ai si kryesues dhe as anëtarët e tjerë të KGJK-së, nuk kanë kompetencë të shqyrtojnë apo të vendosin për kërkesat për lirim me kusht.
Ky reagim i tij për redaksinë erdhi dy ditë pasi i biri i të dënuarit, Fahredin Gashi, ka publikuar letrën e hapur që i është dërguar Qoqajt, të cilin e akuzon për zbatime të standardeve të dyfishta.
Albion Gashi në këtë letër ka kërkuar nga kryetari i KGJK-së, që babait të tij t’i mundësohet lirimi me kusht pas mbajtjes së më shumë se 10 vjet burgim, pasi që gjendja mendore e organike e këtij të fundit është përkeqësuar.
“Theksoj se babai im ishte në gjendje të sëmurë, por gjatë vuajtjes së dënimit gjendja e tij shëndetësore si ajo psiqike ashtu edhe organike u përkeqësua deri në shkallë ekstreme dhe ai tani vuan nga dhjetëra sëmundje organike të rënda për të cilat disponon raporte, dokumente të trajtimeve shëndetësore si dhe gjendja psikike është në gjendje shumë të rëndë. Që nga fillimi i dhjetorit të vitit 2020 ai u përballë edhe me virusin COVID-19 duke u trajtuar në gjendje tejet të rëndë në repartin intensiv të QKUK-së për ditë të tëra me shëndetin në gjendje shumë kritike”, thuhet në letrën e tij.
Albioni tutje njofton se gjatë qëndrimit në Burgun e Dubravës, babai i tij në dosjen që posedon nuk ka asnjë shkelje disiplinore, andaj konsideron se me të mbushur 2/3 e dënimit – ligjërisht i takon lirimi me kusht.
“Me 13 nëntor 2019 ai mbushi 2 të 3 e dënimit ku ligjërisht i takonte lirimi me kusht edhe pse ishte plotësuar tërësisht dokumentacioni, paneli juaj z. Kryetar, pa asnjë arsyetim ia mohoi këtë të drejtë duke refuzuar kërkesën për lirim me kusht për 12 muaj, fatkeqësisht edhe kërkesa e dytë iu refuzua në fund të vitit 2020 sërish pa ndonjë arsyetim për 9 muaj, madje në kohën kur po luftonte për jetën në Klinikën Intensive për COVID-19 në QKUK në Prishtinë”, shkruan ai.
Fahredin Gashi u arrestua më 13 korrik 2010 me kërkesë të prokurorit të EULEX-it, Mauricio Salustro, si i dyshuar për veprën penale “Krime të luftës kundër popullatës civile”.
Siç kishte konstatuar Gjykata në atë kohë, në qershor 1999, Fahredin Gashi në cilësinë e tij si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në bashkëveprim me Nazim Bllacën, ka hyrë në shtëpinë e Salih Gashit në Varigovc, Komuna e Lipjanit dhe e ka vrarë atë, vrasja e të cilit u klasifikua si krim i luftës. /Insajderi.com