Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka dalë me një raport lidhur me situatën që është krijuar nga përmbytjet e sotme në territorin e Kosovës, njofton Insajderi.
Sipas njoftimit të Institutit, reshjet më me intensitet janë në pjesën perëndimore të Kosovës, apo në rajonin e Dukagjinit.
“Reshjet e shiut, të cilat po vazhdojnë pa ndërpre, më shumë se 48h, duke përfshi tërë territorin e vendit, me intensitet më të shprehur në pjesën perëndimore të sajë, ku gjatë kësaj kohe kanë rënë mesatarisht rreth 75.6 mm (lm2), reshje, duke shkaktuar përmbytje, nëpër disa komuna, si pasojë e ngritjes së niveleve të lumenjve përtej kapaciteteve të tyre bartëse”.
IHMK njofton se kësaj situate të rënduar i ka kontribuar edhe shkrirja e borës nëpër viset më të larta malore.
“Gjendja më e rënduar paraqitet në disa Komuna të Dukagjinit si: Gjakovë (95.8 mm), Junik (198.9 mm), Deçan, Rahovec, Malishevë, Suharekë, Pejë (95 mm), Klinë, dhe në Rrafshin e Kosovës, komunat: Drenas, Skenderaj, Lipjan, Fushë Kosovë, Obiliq, Prishtinë (58 mm), Mitrovicë”, njofton më tej IHMK. /Insajderi.com