“Zbatimi i Mini-Schengenit është në duar të administratës Biden”

“Zbatimi i Mini-Schengenit është në duar të administratës Biden”

Njohësit e çështjeve politike në vend thonë se pa marrë parasysh ndryshimin e qeverive, implementimi i Mini-Schengenit Ballkanik mund të varet edhe nga vullneti i administratës së re amerikane dhe Bashkimit Evropian, njofton Insajderi.

Pavarësisht qasjes që kishte më parë, Kosova më 7 shtator në Uashington është zotuar se do të jetë pjesë e kësaj nisme.

Belgëzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale, thotë se çështja e Mini-Schengenit varet nga vullneti i Administratës Biden.

“Çështja e Mini-Schengenit në veçanti dhe Marrëveshja e 4 shtatorit në përgjithësi mendoj se do të varet më shumë nga qasja e Administratës Biden se nga qeveritë në Ballkan. Siç dihet, praktikat tregojnë se administratat e raja në SHBA vazhdojnë marrëveshjet e administratave paraprake të nënshkruara”, deklaroi për RTV dukagjinin, Belgëzim Kamberi.

Nga ana tjetër profesori universitar, Afrim Hoti, thotë se pos SHBA-së edhe Bashkimi Evropian ka një rol kyç në realizimin e Mini-Schengenit.

“Zbatueshmëria e Mini-Schengenit do të varet nga vendosmëria që do të reflektoj Bashkimi Evropian, sepse projeksioni që ka marrëveshja përputhet me kushtet që ka BE-ja për anëtarësimin e këtij rajoni. Pastaj qëndrimi i SHBA-së apo administratës së re amerikane që do të mbajë ndaj këtij projekti”, deklaroi Afrim Hoti. /Insajderi.com