Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili tashmë pritet të jetë pjesë e iniciativës së Vjosa Osmanit, Haxhi Avdyli, ka mohuar akuzat të cilat i janë bërë lidhur me një rast prostitucioni i ndodhur në vitin 2017 në Suharekë, njofton Insajderi.
Në mbrëmjen e sotme ‘Gazeta Sinjali’ raportoi për një rast që ka të bëjë me detyrimin për prostitucion, i cili ka ndodhur në tetor të vitit 2017ku një femër ka deklaruar se bashkëshorti i saj e ka detyruar dhe i ka mundësuar takime me burra të ndryshëm me qëllim që të kryejë marrëdhënie seksuale në këmbim të parave, një prej tyre edhe Haxhi Avdyli.
Ajo fillimisht kishte thënë se bashkëshorti i saj, N.K., ka folur me Avdylin nëpërmjet llogarisë së saj në Facebook, dhe ia ka caktuar datën e takimit, ku më pas kanë shkuar në një motel. Madje, sipas deklaratës së saj të parë, bashkëshorti kishte kërkuar që ta mbajë telefonin hapur gjatë tërë kohës sa kishte qenë me Avdylin.
“Pasi u fejova, në tre muajt e parë, N.K. ma ka marr paswordin e Facebookut tim që unë nuk e kam përdorur më prej se jam fejuar. Ai ka komunikuar me persona të ndryshëm, meshkuj, në emrin tim. Ka bërë marrëveshje me 500 euro me personin Haxhi Avdyli (doktor dhe politikan nga Prizreni) ku atij i ka thënë se unë dalë me para për shërbime seksuale. Këtë person e ka nxitur me fotot e mija të cilat mi kërkonte si e fejuara e tij dhe unë ia dërgoja pa ditur se çfarë po bënte ai, pra ka biseduar në emrin tim. Pastaj unë jam detyruar të kem marrëdhënie seksuale me këtë person i cili mi ofroi vetëm 200 euro”, thuhet tutje në deklarimin e saj të parë.
Por më pas po e njëjta kishte ndryshuar deklarimin e saj, ndonëse nuk e ka mohuar se i ka ofruar shërbime seksuale Haxhi Avdylit.
“Nuk e di çka të them tani më duket absurde se si unë i kam bërë këto gjëra. Një nga Prishtina, nuk po më kujtohet emri, Haxhi Avdyli dhe ai në aeroport siç e pata cekur në deklaratën e parë, nuk po më kujtohet tani. Me këta persona kam pasur marrëdhënie seksuale vetë. N.K. nuk ishte këtu, ai ishte në Gjermani”, raportohet të ketë thënë ajo.
Prokuroria Themelore në Prizren ka mbyllur hetimet për këtë rast, pasi sipas tyre nuk janë gjetur dëshmi se ish-bashkëshorti i gruas në fjalë e ka detyruar atë për prostitucion.
Ndërkohë që Avdyli ishte i menjëhershëm në reagim, për çka tha se kjo ishte vetëm një shpifje e portaleve të lajmeve të rreme.
“Të nderuar qytetarë, KENI KUJDES. Të tmerruar nga përkrahja plebishitare e qytetarëve, klubi i vjetër i uzurpatorëve të pushtetit dhe shtetit mund të ndodhë të përdorin shpifje, e fake neës. Te ata me gjendje më të rëndë ekonomike mund të ndodh edhe të ofrojnë ndihma të ndryshme e para. Por aman mos e shisni besimin dhe bindjen tuaj me asgjë. Mos bini pre e portaleve e lajmeve të rreme. Mos e bëni për vete, bëne për fëmijët e juaj. Bëjeni për gjeneratën pas nesh. Refuzoni veprimet e tyre të dëshpruara”, ka shkruar ai në Facebook. /Insajderi.com