“AAK-ja do të jetë pjesë e Qeverisë, pavarësisht kush fiton”

“AAK-ja do të jetë pjesë e Qeverisë, pavarësisht kush fiton”

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të jetë pjesë e ekzekutivit, pavarësisht se cila parti do të dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit, njofton Insajderi.

Kështu ka deklaruar nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi, duke mos përjashtuar mundësinë për koalicione paszgjedhore.

“Orientim e kemi që të shkojmë vetëm si subjekt i veçantë politik dhe njëkohësisht ne do të jemi pjesë e Qeverisë sepse gjithmonë kemi pretenduar që të marrin përgjegjësi po ashtu e kemi edhe listën e cila është duke u formuar, por që nuk është deri tani definitive sepse ka kohë. Ne do të jemi pjesë e Qeverisë pavarësisht se kush mund të dalë partia e cila mund të ketë të drejtën të formojë Qeverinë”, ka thënë Isufi.

Ai ka sqaruar se nuk kanë vija të kuqe me asnjë parti politike.

“Ne kemi deklaruar me kohë që nuk kemi vija të kuqe ndaj partive politike sepse e kemi ditur që kur është në pyetje ardhja në pushtet të gjithë po i harrojnë vijat e kuqe. Prandaj ne me kohë kemi deklaruar se demokracia funksionon atëherë kur me partitë politike ka partneritet dhe nuk e ke armiqësi”, ka deklaruar Isufi pë EO.

Duke folur për kandidaturën e Ramush Haradinajt për president të vendit, Isufi është shprehur se po insistojnë në këtë pozitë duke e ditur se ka rol shumë të rëndësishëm për shtetin.

Kurse sa i përket kandidimit të personave të dënuar për vepra të ndryshme penale , ai thotë se duhet të respektohen vendimet e institucioneve përgjegjëse.

Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kjo parti nuk do të ketë kandidat për kryeministër në këto zgjedhje./Insajderi.com