Kryeshefi ekzekutiv i Ngrohtores “Termokos”, Arsim Fetahu, ka deklaruar se edhe përkundër sfidave dhe vështirësive që ka shkaktuar pandemia kompania ka vazhduar pa ndërprerje furnizimin e shërbimeve me ngrohje për konsumatorë, transmeton Insajderi.
Ai tutje ka njoftuar se në dy vjetët e ardhshme “Termokos” do të investojë 10 milionë euro në zgjerimin e rrjetit.
“Pandemia Covid-19 ka shkaktuar telashe në mbarë globin tokësor, mirëpo sa i përket kompanisë tonë këto pasoja kanë qenë shumë të vogla. Për fat të mirë menaxhimi i pandemisë nga ana e stafit tonë dhe neve si menaxhment ka qenë në nivel shumë të mirë dhe si rezultat i kësaj ne kemi vazhduar furnizimin e shërbimeve me ngrohje pa ndërprerje për të gjithë konsumatorët tonë dhe mund të themi që pjesa dërrmuese e konsumatorëve tanë janë shumë të kënaqur me shërbimet e ngrohjes të cilat jemi duke i ofruar”, ka thënë ai.
“Projektet tona po vazhdojnë dhe kemi siguruar fondin nga rigjenerimi nga 140 në 280 megavat që pritet të fillojë konsulenca vitin e ardhshëm dhe me këtë do të realizohet një rritje e madhe e kapacitete prodhuese. Dy vitet e ardhshme pritet investimi mbi 10 milionë euro për rrjetin e qytetit ku pritet edhe të ketë rehabilitim dhe zgjerim mbi 10% te sipërfaqes që janë kyçur”, ka shtuar Fetahu.
“Gjithashtu edhe projekti i matësve të energjisë është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit dhe do të fillojë realizimi vitin e ardhshëm ku vlera e projektit është 10 milion dollarë kurse edhe projekti për energji solare pritet që brenda këtij viti ta merr formën finale të vazhdimit të tij sepse momentalisht kemi problem mungesën e parcelave për të cilën pritet të bëhet zgjidhje”.
Sipas Fetahut në katër vjetët e ardhshme është paraparë dyfishimi i kapaciteteve që do të mbulojë pjesën më të madhe të Prishtinës, raporton EO.
“Për dy vitet e ardhshme është paraparë pjesa e Matit 1, rruga Muharrem Fejza të kyçen mbi 50 objekte banesore dhe në pjesë të tjera edhe lagja Ulpiana do të kyçet në rrjetin e ngrohjes. Kurse sa i përket projektit me energji solare është paraparë për një pjesë të lagjes Arbëria dhe Tophane. Me dyfishim të kapaciteteve që pritet të realizohet deri në 4 vitet e ardhshme është paraparë dyfishimi i kapaciteteve kurse ne atë projekt do të bëhet një master plan i ri i cili do të mbulojë një pjesë të madhe të Prishtinës”, është shprehur ai. /Insajderi.com