Zgjedhjet lokale mbahen siç janë planifikuar, do të respektohen ligjet në fuqi

Zgjedhjet lokale mbahen siç janë planifikuar, do të respektohen ligjet në fuqi

Zgjedhjet lokale që pritet të mbahen gjatë vjeshtës së këtij viti, do të mbahen ashtu siç janë të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili shpreson që vaksina të mbërrijë në Kosovë brenda tre mujorit të parë të vitit 2021.

“Ne shpresojmë dhe besojmë që situatës me pandeminë do t’i vij fundi, dhe është premtuar nga ish-qeveria që edhe vaksina të mbërrijë në tre mujorin e parë të vitit 2021. Zgjedhjet lokale do të mbahen ashtu siç janë të përcaktuara edhe me legjislacionin në fuqi, dhe shpresojmë që do të kemi vetëm rezultate të mira”, ka thënë ai për EO.

Ibrahimi tutje ka thënë se pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike. Ibrahimi theksoi se kryetarët e komunave kanë bërë maksimumin që të ndihmojnë bizneset.

“Pandemia ka shkaktuar dëme ekonomike. Mirëpo edhe gjatë takimeve që kemi pasur me nivelin qendror jemi munduar që ta gjejmë një mes të artë ku do të ruhet edhe shëndeti publik, por edhe ai ekonomik në mënyrë që të shkohet paralel. Kryetarët e komunave kanë bërë maksimumin që t’i ndihmojnë bizneset. Edhe iniciativat e komunave që të përkrahin bizneset kanë qenë të mirëseardhura”, ka thënë Ibrahimi. /Insajderi.com