Gjykata Speciale ka kërkuar dorëzimin e parashtresave lidhur me rishikimin e masës së paraburgimit për ish-eprorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, transmeton Insajderi.
Gjykatësi Nicolas Guillou, ka potencuar se rishikimi i masës së paraburgimit për Mustafën duhet të ndodhë pas skadimit të dy muajve nga vendimi i fundit për paraburgim.
“Para dhënies së një vendimi për rishikimin e masës së paraburgimit për z.Mustafa, Gjyqtari i Procedurës paraprake do të shqyrtojë parashtresat e palëve për këtë çështje”, thuhet në kërkesën e gjykatësit Guillou, shkruan Telegrafi.
Guillou ka kërkuar nga Prokuroria e Specializuar të paraqesë parashtresat me shkrim deri të mërkurën më 13 janar 2021, nëse ekzistojnë ende arsyet për ndalimin e mëtutjeshëm të Salih Mustafës, ose nëse ndalimi i tij duhet të ndërpritet.
Po ashtu edhe nga pala mbrojtëse është kërkuar të paraqesë parashtresat me shkrim deri të hënën më 18 janar 2021 lidhur me vazhdimin apo jo të paraburgimit për ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafa. /Insajderi.com