Mustafa: Sondazhet i shoh si propagandë, LDK do të radhitet e para

Mustafa: Sondazhet i shoh si propagandë, LDK do të radhitet e para

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se sondazhet që kanë nxjerrë partinë e tij më poshte se partitë tjera, në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 shkurt, janë propagandë, transmeton Insajderi.

Sipas tij, partia që ai drejton do të radhitet e para.

“Sondazhet për një periudhë të gjatë i shoh vetëm si propagandë dhe nuk mund t’ua japë asnjë vlerë tjetër. LDK do të radhitet e para, sipas programit, seriozitetit institucional dhe vlerave qeverisëse. Ndërkaq sipas propagandës që po zhvillohet kundër LDK-së, ajo nuk do të radhitej askund. Sepse, të gjithë kapësit e shtetit dhe synuesit me dhunë të pushtetit, pengesë themelore dhe të vetme e kanë LDK-në”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa tutje tregon se në organet e partisë nuk janë përmendur emra tjerë që do të jenë në listën e LDK-së si kandidatë për deputetë.

“Emrat tjerë për Kryeministër, përveç z. Avdullah Hoti, janë përmendur nga disa gazetarë, “analistë”, moderatorë, por jo nga organet udhëheqëse të LDK-së. U zhvillua fushatë e madhe që kandidatin për kryeministër të na e caktojnë ata që kurrë s’kanë qenë me LDK-në. Hoti i plotëson të gjitha kriteret civilizuese dhe demokratike për të qenë një kryeministër i denjë”, ka deklaruar Mustafa, raporton Express.

Ai është deklaruar edhe për koalicionet parazgjedhore të cilat janë përmendur deri më tani, duke lajëmruar se LDK do të hyjë e vetme në zgjedhje. /Insajderi.com