Disa lumenj dalin nga shtrati në Maqedoninë e Veriut

Disa lumenj dalin nga shtrati në Maqedoninë e Veriut

Reshjet e shiut në Maqedoninë e Veriut kanë shkaktuar derdhje të lumenjve Vardar në fshatin Rashçe, lumit Kriva Reka dhe Pçinja, në rajonin e Kumanovës, si dhe të disa përrenjve në rajonin e Ohrit dhe Manastirit, njofton Insajderi.

Për shkak të situatës aktuale të motit, meteorologët paralajmërojnë rritje të nivelit të ujit në të gjithë  përrenjtë dhe liqenet, ndërsa si më kritike potencohen rrjedha e mesme dhe e sipërme e lumit Vardar, Treska, Lepenc, Pçinja, Kriva Reka, Radikë, Sateska si dhe degët e tyre.

Drejtoria për Punë meteorologjike informoi se  më shumë shi ka rënë në Pozharan 48 litra për metër katrot, në Tetovë 39, në Vinicë 36, Krushevë 34 dhe Shkup 26 litra për metër katror.Reshjet e shiut shkaktuan problem në komunikacion në disa lokacione, ndërsa më e vështirë situata ka qenë në rajonin e Mavrovës ku  pemët e rrëzuara bllokuan rrugën, ndërsa u dëmtua edhe  rrjeti i furnizimit me energji elekri duke lënë pa rrymë banorët e Dibrës për 18 orë të plota.

Ndërprerja me energji u regjistrua dje në orën 10:30 minuta, ndërsa furnizimi është rikthyer në orën 04:35 të mëngjesit të sotëm.

Në ujësjellësin Rosoki-Dibër, tanimë në ditën e tretë uji mbetet i turbullt për çka vazhdon të vlejë rekomandimi për të filtruar ose zier ujin para përdorimit. Ky ujësjellë furnizon me ujë për pije banorët e Dibrës, fshatrat Rajçica dhe Kosovrast i poshtëm, si dhe një pjesë të Komunës Qendër Zhupë. /Insajderi.com