Presidentja në Detyrë, Vjosa Osmani, i ka shkruar kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, për të kërkuar rishqyrtimin e vendimit të KQZ-së që të humbet e drejta e votës për ata mërgimtarë të cilët nuk e konfirmojnë aplikimin për votim përmes telefonit.
Në letrën të cilën e ka siguruar Insajderi.com, Osmani ka shkruar se “E drejta e votës është e drejtë fundamentale e garantuar me Kushtetutën tonë dhe me të gjithë konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
Osmani, tha se e kupton “qëllimin e mirë” të KQZ-së për parandalimin e keqpërdorimeve të votave, por sipas të parës së shtetit kjo mund të shkaktojë dëme të mëdha.
“Andaj, duke pasur për qëllim interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës si dhe kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor në vend, si dhe duke marrë për bazë detyrimin tim kushtetues që të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve në vend. Ju lus ta rishqyrtoni arsyeshmërinë e vendimit të lartpërmendur. /Insajderi.com