Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në Bruksel nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Davis Sassoli, njofton Insajderi.
Osmani në këtë vizitë dy-ditore në kryeqendrën evropiane është takuar fillimisht me Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.
Dyert e këtyre takimeve ishin të mbyllura për medie.
Ndërsa në mbrëmje, Osmani pritet të jetë mysafire e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.
Në vizitën dyditore në Bruksel, Osmani do të takohet edhe me deputetët e Parlamentit Evropian që janë në Grupin e Miqësisë së Kosovës në Parlamentin Evropian: Rainer Wieland, zv.presidenti i PE-së, Lukas Mandl (EPP), Viola von Cramon- Taubade, raportuese për Kosovën në PE, Ilhan Kyuchyuk, nga Grupi Renew dhe Andrey Kovatchev, nënkryetar i EPP-së.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, Osmani të mërkurën do të takohet me presidenten e Dhomës së Përfaqësuesve, Eliane Tillieux dhe presidenten e Senatit të Belgjikës, Stephanie D’Hose. /Insajderi.com