Partitë duhet të përfaqësohen në KQZ me ekspert

Partitë duhet të përfaqësohen në KQZ me ekspert

Analisti politik dhe njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj, vlerëson se partitë politike do të duhej të përfaqësoheshin me ekspertë të fushës në Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, gjë që sipas tij, në këtë kohë nuk është praktikë, njofton Insajderi.

Ai në një intervistë në emisionin DESKU në KTV, ka thënë se kur një vendim në KQZ kalon pa debat, atëherë është e natyrshme që të sjellë pasoja, deri edhe te mohimi i të drejtës së votës.

“Unë besoj që KQZ-ja, 11 anëtarët që përfaqësojnë partitë politike do të duhej të ishin ekspertë, sepse në fund të fundit në KQZ do të duhej të përfaqësoheshin partitë me ekspertë të fushës, të specializuar qoftë në procesin zgjedhor, qoftë në legjislacionin e aplikueshëm”.

Sipas tij, mungesa e debatit për shkak të mungesës së ekspertëve ka sjellë edhe vendim që u kufizojnë qytetarëve të drejtën e votës.

“Dhe kur këta 11 persona e kalojnë me lehtësi një vendim të tillë dhe pa debat, sigurisht që kjo tregon atë që e kemi thënë gjithmonë, se kemi institucione të papërgatitura, të cilat me një vendim të tillë mund të kufizojnë apo edhe t’ua mohojnë qytetarëve të drejtën e votës. Kjo praktikë, besoj, se do të sjellë shumë vështirësi”./Insajderi.com