Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka komentuar deklaratën e kreut të Akademisë serbe, Valdimir Kostic, se “Kosova nuk është e Serbisë”, për çka Daçiq thotë se mund të thuhet edhe që “Kosova nuk është as shqiptare”, transmeton Insajderi.
Në një intervistë për mediumin serb ‘Kosovo Online’, Daçiq thotë se thelbi i problemit është se Kosova nuk ka një sovranitet të plotë mbi tërë territorin e saj. Në bazë të kësaj, ai tha se Kosova është e tij po aq sa është e Hashim Thaçit apo Albin Kurtit.
“As Serbia e as Kosova nuk ka sovranitet të plotë mbi territorin e Kosovës. As Kosova si gjoja një shtet i pavarur nuk ka sovranitet të plotë mbi tërë Kosovën. Ky është thelbi i problemit”, ka thënë Daçiq.
“Kosova është shtëpi për të dyja palët, edhe serbët dhe shqiptarët që jetojnë atje. E dini, unë kam lindur në Kosovë dhe kur isha në Prizren bëra një shëtitje nëpër qytet dhe një burrë më tha se nuk kisha vend atje. E pyeta – “pse, unë kam lindur këtu”. Pra, Kosova është po aq e imja, siç është e Thaçit dhe Kurtit. Kjo është arsyeja pse është shumë më mirë të negociohet, dhe nëse dikush është fajtor për krime, atëherë ai duhet të mbajë përgjegjësi për ato krime”, ka thënë Daçiq. /Insajderi.com