Lista Serbe ka dënuar ashpër vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’ia refuzuar kërkesën për ta vizituar Kosovën drejtorit të së ashtuquajturës “Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, Petar Petkoviqi, njofton Insajderi.
Përmes një postimi në Facebook, nga ky subjekt politik kanë kërkuar reagimin e menjëhershëm të Bashkimit Evropian.
“Lista Serbe fuqishëm dënon vendimin për të ndaluar drejtorin e Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq të vizitojë shtëpitë e serbëve të prekur nga përmbytjet dhe kërkon nga BE’ja që të reagojë urgjentisht për shkeljen flagrante të marrëveshjes së Brukselit por edhe të marrëveshjes së Bashkimit Evropian për lëvizje të lirë”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, ata thonë se janë të zhgënjyer nga heshtja e bashkësisë ndërkombëtare.
“Çka na zhgënjen neve është heshtja e komunitetit ndërkombëtar që është i ftuar të reagojë për këto provokime dhe shkelje të marrëveshjes. Ne jemi të shqetësuar nëse heshjta është shenjë e aprovimit”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook./Insajderi.com