Aderon në PDK infermieri që mbajti grevë 26 ditë

Aderon në PDK infermieri që mbajti grevë 26 ditë

Infermieri Enlirat Duraku i cili tha se mbajti grevë për 26 ditësh me radhë, i është rikthyer politikës, njofton Insajderi.

Duraku ka aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur zyrtari i PDK-së në komunën e Prishtinës, Bujar Cakolli.

“Me Enlirat Durakun, infermierin që për 26 ditë rresht sakrifikoi veten në mbrojtje të kërkesave të drejta të mijëra infermierëve të Kosovës. Profesionist dhe intelektual i vyer i vendit, i cili shpreh gatishmërinë dhe vullnetin që angazhimin e tij ta vazhdojë aty ku e nisi, brenda shtëpisë më të madhe politike në vend, në Partinë Demokratike të Kosovës.

Bashkëthemelues të PDK-së në Prishtinë më shumë se dy dekada më parë, tani, sërish bashkë në vizionin e PDK-së për Rimikëmbjen e shtetit”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Madje, edhe vetë Duraku ka publikuar në Facebook një fotografi me llogon e Partisë Demokratike të Kosovës dhe sloganit Rimëkëmbje.

“Unë mendoj dhe i qëndroj mbrapa mendimit që nje infermier në Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të thotë që të gjithë jemi aty.

Politika duhet t’i shërbej infermierit dhe jo infermieri t’i shërbej politikës. Pasi politika nuk po vie tek inefrmieri, ne do u’a dërgojmë infermierin politikës”, ka shkruar Duraku./Insajderi.com