Grevë në Zyrën e Kryeministrit

Grevë në Zyrën e Kryeministrit

Brenda zyrës së kryeministrit do të fillojë një grevë për shkak se disa punëtorë aty nuk po pajtohen me rregulloren e re për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës.

Grevistët që kryesohen nga Arben Krasniqi, Isa Hajdari, Arlinda Sejdiu-Likaj, thonë se projekt-rregullorja është falsifikuar nga zëvendës-kryeministri, Driton Selmanaj.

Në një dokument të cilën e ka siguruar Gazeta Online Insajderi, grevistët kërkojnë takim me personat përgjegjës që fuqizuan këtë rregullore e cila ka shkaktuar pakënaqësi në zyrën e kreut të ekzekutivit.

Ftesa për takim vlen deri më 14 janar, sipas dokumentit.

Në rast se nuk ka përgjigje atëherë i hapet rruga grevës e cila parashihet të mbahet brenda zyrës së kryeministrit.

Punëtorët e “rebeluar”, thonë se gjatë hartimit të rregullores nuk janë marrë përsipër ankesat e parashtruara.

“Pas vendimit për shkrirjen e Ministrisë së Integrimeve Evropiane në Zyrën e Kryeministrit, ka filluar procesi i ristrukturimit në këtë institucion. Më 15 qershor është themeluar grupi punues për hartimin e rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Zyrën e Kryeministrit”, thuhet në dokument.

Grupi punues është kryesuar nga Mentor Boroci, i cili ka qenë kryetar në hartimin e projekt-rregullores për hartimin e ristrukturimit të vendeve të punës.

Por, më 22 shtator 2020 është marrë vendim që të shtohen edhe nëntë anëtarë të ri.

Mospajtimet shtohen për faktin se pretendohet të mos jenë njoftuar anëtarët e vjetër për anëtarët tjerë që do të bëheshin pjesë e grupit punues.

Gjithë kjo situatë e ka “fajtorin e saj” nga gjykimi i këtyre punëtorëve – ai është Driton Selmanaj.

Insajderi ka tentuar ta kontaktojë zëvendësin e kryeministrit. Ka qenë e pamundur.

“Rregullorja është në kundërshtim me Ligjin Nr 06/L113 për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe të Agjencie të Pavarura”, thuhet më tutje në dokument.

Ankesat bazohen në 1 mungesën e transparencës 2) Mos-dërgimi i të dhënave të parapara në Ministrinë përgjegjëse 3) Sistemimi jo adekuat i shërbyeseve civil të prekur nga ky ristrukturim 4) Organizimi joadekuat i njësive administrative 5) Mos-deklarimi i shkaktimit të kostove shtesë që ndërlidhen me ristrukturimin.

Në dokumentin të cilën e ka siguruar Insajderi në mënyrë kronologjike paraqitet procesi i ristrukturimit të vendeve të punës. /Insajderi.com