Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bërë homazhe në Reçak me rastin e 22-vjetorit të masakrës që u bë në këtë fshat, njofton Insajderi.
Hoxhaj theksoi se nuk e kanë menduar që në Reçak do të jenë ndonjëherë pa Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
“Jemi këtu së bashku me kryetarin e Shtimes, Naim Ismajli, për të nderuar Reçakun, për t’i nderuar ata të cilët ishin viktimë në këtë ngjarje tragjike. Natyrisht që jemi këtu ku Kosova është e lirë pas 21 vjetësh, e nderojmë këtë ngjarje, ne jemi pa kryetarin Veseli, pa presidentin Thaqi, pa Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, të cilët në mënyrë të padrejtë po përballen në Gjykatë dhe jemi të sigurt se do të kthehen faqebardhë”, tha Hoxhaj.
Ai po ashtu tha se Kosova është ndërtuar nga qytetarë trima dhe punëtorë.
“Ky shtet është ndërtuar nga qytetarë trima dhe punëtorë. Natyrisht që për neve si PDK kjo është një ngjarje e rëndë dhe jam i sigurt që 5 nëntori e kanë cenuar dinjitetin e shqiptarit”, tha Hoxhaj.
Homazhe në Reçak kanë bërë edhe liderë të tjerë politikë dhe udhëheqës të institucioneve./Insajderi.com