Katërmbëdhjetë vite që nga Selaniku, ne kemi kuptuar që ti me të vërtetë nuk na do – dhe ne kemi filluar të sillemi në përputhje me rrethanat.
E dashur teto Evropa,
Po shkruaj në emër të kushërinjve të tu të shkretë nga Ballkani perëndimor: Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia,Kosova, Shqipëria. E di – ata të padisiplinuarit.
Është bërë kohë. Duhet të flasim.
Katërmbëdhjetë vite më parë, në Selanik, na ishte premtuar që një ditë, jo shumë larg në të ardhmen, ne do të lejoheshim të shpërngulemi në shtëpinë tënde të madhe në Bruksel dhe të ulemi si të barabartë në tavolinën tënde.
Gjithë çfarë ne duhej të bënim, na the, ishte të pastrojmë sjelljen tonë: të jemi të mirë me ty, me njëri tjetrin, dhe të mësojmë sjellje të mira në mënyrë që të mos të të turpërojmë ty para syve të mysafirëve.
Kështu ne provuam. Ne me të vërtetë provuam. Ne ndaluam së luftuari, mbajtëm dhomat tona të pastra aq sa mundëm, ne ishim komshinj të mirë. Ne edhe ndamë lodrat dhe gjërat tona ndonjëherë, edhe pse ne nuk donim në të vërtetë, vetëm të vërtetojmë që ne mund të jemi të mirë.
Por shpërblimi nuk erdhi asnjëherë. Një dekadë pas Selanikut, vetëm Kroacia mori ftesën e lakmuar, dhe si shkoi, shkëputi të gjitha lidhjet me ne. Ajo tani sillet rrotull sikur të jetë pasardhëse {Jug-qendrore Evropiane-Mesdhetare{, dhe fjala {Ballkan{ asnjëherë nuk kalon nga buzët e saj.
Kur filluam të kuptojmë që ti me të vërtetë nuk do që të bashkohemi, ne ngadalë filluam të të lëshojmë. Ti nuk dukej që po e vëreje.
Mos ma merr për të keq, e di që ke pasur, dhe ende ke, problemet e tua, me krizën financiare, dhe krizën e emigrantëve, dhe krizën e terrorizmit, dhe Britaninë duke u larguar me lundrim nëpër dete. Ne donim të të ndihmonim, por ti na mbaje larg.
Kështu ne shtireshim që përmirësoheshim, dhe ti shtireshe që ftesa jote është ende e vlefshme. Ka qenë në këtë mënyrë mjaft për një kohë.
Eventualisht, të dy u lodhëm së shtiruri. Ti the që nuk do ketë rritje të BE-së deri në vitin 2020; pastaj fillove të flisje për 2025.
Ne morëm mesazhin. Ti u dorëzove, hoqe dorë nga ne, kështu edhe ne hoqëm dorë nga ti – dhe nga vetja jonë. Ne u rikthyem ku ishim.
Na shiko tani: Serbia po bëhet ngacmues përsëri; Kosova mezi nëntë vjeçe, është e lodhur me lodra, dhe dëshiron tanke dhe armë të vërteta; Bosnja po e ndan vetën më dysh. Mali i Zi mendon që është në krye të botës; Maqedonia është vetëvrasëse; Shqipëria vetëm rri ulur në qoshe gjatë gjithë ditës, duke varur buzët.
Është lëmsh.
Ne gjithashtu kemi filluar të luajmë me ata fëmijët e këqij, si Vladi, dhe Rexhepi, dhe Abu Bakr, dhe ai shejtani i ri portokalli Donni. Ti na ke paralajmëruar të qëndrojmë larg nga ata, por në mungesën tënde, ne kishim nevojë për shokë. Mbase nuk janë dhe aq të këqij sa ti thua që janë.
Dhe në këtë mënyrë ne më në fund morëm vëmendjen tënde. Ne dëgjuam që pati një darkë të madhe familjare në Bruksel javën e kaluar, dhe ne ishim ndër temat kryesore të diskutimit. Normalisht, ne nuk ishim të ftuar. Ne nuk jemi asnjëherë të ftuar.
Por ne morëm mesazhin – {konkluzionet{ si i quani ju – nga ngjarja. Ti vure re se ishim të shqetësuar dhe jo-stabil. Ti thua që je e merakosur. Dhe ua ngjet gjithë fajin {ndikimeve të jashtme{. Vërtet? Sikur ne jemi në parim fëmijë të mirë që vetëm kanë qëlluar të bien në shoqëri të keqe. Kjo është poshtëruese.
Pra, më lë të të tregoj: ne nuk jemi të mirë, jo më, dhe ndoshta ne kurrë nuk ishim. Ne provuam për një kohë, por nuk funksionoi. Gjithashtu, ne jemi përsosmërisht të zotë të bëjmë kërdi vet, siç ti duhet ta dish mirë deri tani.
Ti gjithashtu the, në mesazhin e njëjtë, që je ende e përkushtuar në premtimin e vjetër të Selanikut. Më fal, por kjo nuk ka kuptim më.
Ne ende të duam, dhe vdesim për të qenë brenda. Por ti ke demonstruar, përsëri e përsëri, që e vetmja mënyrë për të marrë vëmendjen tënde është të bëjmë veten aq shumë të bezdisshëm se të mundemi. Dhe ne vetëm po shikojmë.
Mos thuaj që nuk të kemi paralajmëruar.
Sinqerisht i juaji,
Ballkani perëndimor.
Opinion nga Dejan Anasatasijeviç i publikuar në “Balkan Insight” – përkthyer nga Gazeta Online Insajderi.