KQZ dërgon listat e kandidatëve për deputetë për verifikim në KGJK

KQZ dërgon listat e kandidatëve për deputetë për verifikim në KGJK

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dërguar në KGJK dhe në pesë institucione të tjera shkresat e veçanta për të kërkuar konfirmimin e përshtatshmërisë së kandidatëve për deputetë, njofton Insajderi,

Kështu ka bërë të ditur sot në një konferencë për media zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, i cili tha se në mesin e institucioneve që u është drejtuar KQZ-ja është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nga i cili kanë kërkuar emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit.

“Germat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ në Nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës ose prokuror në Kosovë ose gjetkë; p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit”, ka thënë ai.

“Prandaj, kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës; nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe nëse janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit”, ka thënë tutje Elezi në konferencën për media. /Insajderi.com