Kurtit e Haxhiut i kufizohet e drejta për t’u zgjedhur deputetë, KQZ vendosë se a mund të marrin pjesë në zgjedhje

Kurtit e Haxhiut i kufizohet e drejta për t’u zgjedhur deputetë, KQZ vendosë se a mund të marrin pjesë në zgjedhje

Një numër i konsiderueshëm i kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, pritet të hiqen nga listat e subjekteve politike, meqë akuzat dhe dënimet që i kanë brenda tri vjetve të fundit mund t’ua kufizojë të drejtën e kandidimit për të zënë ulëse në Kuvendin e Kosovës, njofton Insajderi.

Një gjë e tillë do të dihet vetëm pasi Këshilli Gjykësor i Kosovës (KGJK), do të informojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), gjatë këtyre dy ditëve për vendimet gjyqësore finale.

Më pas KQZ është është autoriteti që do të vendosë lidhur me certifikimin e kandidatëve në bazë të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Kështu thotë për Gazetën Online Insajderi, drejtori ekzekutiv i Institutit Të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, i cili thotë se ky komision në bazë të vendimit të Kushtetueses, nuk mund të iu kufizojë të drejtën e kandidimit personave të akuzuar apo edhe të dënuar në shkallën e parë.

“KGJK në bazë të ligjit është e obliguar të informoj KQZ vetëm në raport me vendimet gjyqësore finale në tre vitet e fundit respektivisht deri me 14 shkurt 2021. KQZ është auroriteti që vendos lidhur me certifikimin e kandidatëve në bazë të vendimit të fundit të GjK. KQZ në bazë vendimit të GJK nuk mund të iu kufizoj të drejtën e kandiditimit personave të akuzuar apo edhe të denuar në shkallë të parë”, thotë ai.

Miftaraj tutje shton se bazuar në verifikimin që IKD ka bërë me anë të hulumtimit të tyre lidhur me listat zgjedhore, dy kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje, dy të tjerë nga Nisma Socialdemokrate dhe një nga Lista Serbe, “janë subjekt i kufizimit të të drejtës për t’u zgjedhur”.

Bëhet fjalë për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, anëtaren e kësaj partie, Albulena Haxhiun, dy anëtarët e Nismës – Besnik Berisha dhe Endrit Shala, si dhe anëtarin e Listës Serbe – Milan Aritonoviq.

Gjetjet e hulumtimit të IKD-së tregojnë se në listën zgjedhore të Nismës Socialdemokrate, nga 110 kandidatë për deputetë, rezulton se dy prej tyre janë të dënuar aktgjykim të formës së prerë në tri vitet e fundit, njëri për veprën penale “Përdorim i armës” i dënuar me 2400 euro gjobe dhe tjetri me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 600 euro gjobë për “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Nga VV,  prej 110 kanidatëve për deputetë, 10 kandidatë janë me aktakuzë dhe dy me dënim të plotfuqishëm gjatë tri viteve të fundit.

Në listën zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës, nga 110 kandidatë për deputetë, prej tyre, në tri vitet e fundit rezulton se është një kandidat që është dënuar me 500 euro gjobë dhe gjashtë muaj burgim me kusht, me aktgjykim të shkallës së parë për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. Po ashtu, në listën e PDK-së për kandidat për deputet janë edhe të paktën katër kandidatë ndaj të cilëve ka aktakuza aktive.

“Për tre prej tyre, gjykimi është në proces në shkallë të parë, kurse, për një kandidat ka përfunduar gjykimi në shkallë të parë me aktgjykim lirues, porse, vendimi ende nuk është i formës së prerë”, thuhet tutje në këtë hulumtim.

Sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga 110 kandidatë për deputetë, rezulton se është një kandidat i cili ka aktakuzë aktive, pasi ai është liruar nga gjykata e shkallës së parë, mirëpo ndaj tij akoma nuk ka vendim nga Gjykata e Apelit, si gjykatë e shkallës së dytë.

Gjetjet e hulumtimit të IKD-së, tregojnë se në listën zgjedhore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë tetë kandidatë ndaj të cilëve ka aktakuza aktive.

“Për shtatë prej tyre, gjykimi është në proces në shkallë të parë, kurse për një kandidat rasti është kthyer në rigjykim dhe është në proces në shkallë të parë”.

Ndërkaq, zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor, Aishe Qorraj, i ka thënë Insajderi-t, se vetëm pas verifikimit të kandidatëve do të mund të konstatohet nëse ka ndonjë listë të partive politike që do të dalë krejtësisht “e pastër”.

E pyetur për vendimin që pritet të merret kundrejt Kurtit, Haxhiut, Aritonoviq, Berishës e Shalës, Qorraj thotë se për një gjë të tillë mund të flasë KQZ.

“KGJK vetëm mund të ofroj informacione se personi i caktuar ka apo nuk ka të regjistruar ndonjë dënim me aktgjykim të formës së prerë. Ndërsa, KQZ vendos se a mund apo nuk mund të kandidojë në zgjedhje kandidati i caktuar”, ka thënë tutje ajo.

Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka dërguar në KGJK dhe në pesë institucione të tjera shkresat e veçanta për të kërkuar konfirmimin e përshtatshmërisë së kandidatëve për deputetë.

Kështu njoftoi sot në një konferencë për media zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, i cili tha se në mesin e institucioneve që u është drejtuar KQZ-ja është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nga i cili kanë kërkuar emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit.

“Germat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ në Nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës ose prokuror në Kosovë ose gjetkë; p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit”, ka thënë ai.

“Prandaj, kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës; nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe nëse janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit”, ka thënë tutje Elezi. /Insajderi.com