Daka për verifikimin e votuesve nga jashtë: Kritikat janë dashakeqe

Daka për verifikimin e votuesve nga jashtë: Kritikat janë dashakeqe

Kritikat ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me procesin e verifikimit të aplikuesve jashtë Kosovës, kryetarja e këtij komisioni po i sheh si dashakeqe dhe të padrejta, njofton Insajderi.

“Kritikat i shoh si dashakeqe sepse një proces kaq i komplikuar që duhet të kryhet nga KQZ-ja është duke u kritikuar pa të drejtë”, ka thënë Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.

Ajo tha se janë duke bërë të pamundurën që të ua mundësojnë procesin e votimit të gjithë qytetarëve me të drejtë votimi.

Daka ka sqaruar se deri më tani janë verifikuar 8 mijë aplikues.

“Ne jemi duke bërë të pamundurën. Janë verifikuar 8 mijë qytetarë të gjithë janë duke u lajmëruar. Ne jemi duke harxhuar shumë të mëdha parash që t’ua mundësojmë qytetarëve të votojnë.

Ne do t’i thërrasim votuesit jashtë vendit derisa të lajmërohen sepse i gjithë fokusi është në telefonata”, ka thënë ajo.

Këto komente Daka i ka bërë të hënën para medieve, pasi ka vizituar qëndrën e thirrjeve, ku po verifikohen aplikuesit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Me qëllim të zbatimit të Vendimit dhe Udhëzimit të KQZ-së për verifikimin e aplikacioneve për regjistrim, KQZ-ja ka funksionalizuar qendrën e thirrjeve, ku në funksion janë 25 linja telefonike./Insajderi.com