Elezi flet për përgatitjet e KQZ-së për zgjedhjet e 14 shkurtit

Elezi flet për përgatitjet e KQZ-së për zgjedhjet e 14 shkurtit

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Republikën e Kosovës, do të mbahen me 14 shkurt 2021, derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke bërë përgatitjet e nevojshme.

Për verifikimin e listave të kandidatëve për deputetë dhe certifikimin e tyre, përgatitjet që po bën KQZ-ja, procesin e verifikimit të aplikuesve jashtë Kosovës, për votimin e personave të infektuar me COVID-19, pjesëmarrjen e vëzhguesve dhe procedura të tjera, në një intervistë për media ka folur zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, njofton Insajderi.

Elezi ka thënë se organizimi i këtyre zgjedhjeve ka qenë sfidë, për shkak se janë zgjedhje të parakohshme dhe të gjitha organizimet të cilat do të merrnin muaj për t’i përgatitur, tani duhet të bëhen brenda 40 ditëve, ndërsa theksoi se po bëjnë të pamundurën që ditën e zgjedhjeve të shkojë gjithçka mirë.

Zëdhënësi i KQZ-së sqaroi procedurën e certifikimit të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës, e cila siç tha ai pritet të përfundoj deri më 31 janar.

Ata i janë drejtuar gjashtë institucioneve, për të verifikuar listat e kandidatëve për deputetë, nga të cilët presin përgjigje deri të mërkurën.

“Ne po presim që përgjigje nga institucionet përkatëse të marrim deri më 20 janar. E kemi specifikuar që përgjigje të marrim të paktën deri në ora 12:00, pra më 20 janar. Po shpresojmë që ata të na përgjigjen gjatë kësaj kohe, në mënyrë që KQZ-ja të vazhdojë me certifikimin e kandidatëve ose jo”, tha Elezi./Insajderi.com