Kryeministri Hoti mori pjesë në inaugurimin e shkollës “Dëshmorët e Vitisë”

Kryeministri Hoti mori pjesë në inaugurimin e shkollës “Dëshmorët e Vitisë”

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, mori  pjesë në inaugurimin e shkollës së Mesme të Ulët “Dëshmorët e Vitisë”, në fshatin Drobesh të Komunës së Vitisë, njofton Insajderi.

“Të dashur nxënës dhe arsimtarë urime për këtë objekt të mrekullueshëm. Është lajm i mirë, është ngjarje e mirë për të filluar gjysmë vjetorin e dytë në këtë objekt të ri dhe shpresoj që po e lëmë mbrapa pandeminë dhe po i kthehemi gjallërisë dhe gëzimit edhe në shkolla, edhe në biznes, edhe në familjet tona dhe gjithkund”, tha kryeministri në detyrë Hoti.

Ai u shpreh i bindur që ky objekt do të ndikojë shumë në cilësinë e arsimit duke krijuar kushtet e nevojshme dhe duke siguruar numër optimal të nxënësve për klasë, pajisje të reja dhe ambient të ngrohtë përgjithësisht për të zhvilluar procesin arsimor.

Kryeministri në detyrë Hoti përgëzoi Ministrin e Arsimit dhe krejt ekipin e tij, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ekipin, që i kanë mbështetur komunat dhe të gjitha shkollat, në mënyrë që asnjë nxënës të mos mbetet mbrapa me mësime edhe në kushte të pandemisë.

Kryeministri në detyrë Hoti në këtë inaugurim  shoqërohej nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami dhe nga kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti./Insajderi.com