Analisti, Visar Ymeri, ka kërkuar që kuota gjinore duhet të jetë 50 përqind, jo 30 përqind sa është tani, njofton Insajderi.
Ai për EO, tha se kuota 30 përqind ka pasur efekte pozitive në përfaqësimin e gruas në Kuvendin e Kosovës, por kjo sipas tij nuk mjafton.
“Një qartësim ky konflikti mes ligjeve që e kemi do me thënë, njërën anë Ligji për zgjedhje i cili e vendos pragun ose kuotën minimale të 30 për qind për cilëndo gjini, dhe pastaj e kemi Ligjin për barazi gjinore që e shpërfaq një lloj synimi që duhet ta kemi për 50 për qind, dmth në përbërje të cilësdo gjini”, tha Ymeri.
Tutje ai shtoi se është detyrë e legjislacionit të ardhshëm që ta ngritë këtë kuotë në 50 përqind të përfaqësimit gjinor.
“Mendoj që ky është një konflikt ligjor që është dashur dhe duhet të zgjidhet dhe mendoj që është detyrë urgjente e Kuvendit që po vjen që ta marr parasysh të gjithë dhe në kuadër të saj, pastaj ta ngritë kuotën gjinore prej 30 për qind si minimum, në 50 për qind jo vetëm si synim por edhe si obligim”, tha ai. /Insajderi.com