Haradinaj përmendi idenë e bashkimit kombëtar, reagon Petkoviq

Haradinaj përmendi idenë e bashkimit kombëtar, reagon Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra e Serbisë për Kosovën”, Petar Petkoviq, i ka reaguar liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili deklaroi se mënyra për t’iu shmangur referendumit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë është që më 2025-ën Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, transmeton Insajderit.

“Ata (politikanët kosovarë) po i afrohen zgjedhjeve dhe po shfaqin nervozizëm, kështu që është normale të rrisin vlerësimin e tyre politik përmes lakimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”, deklaroi Petkoviq, raporton B92.

Ai theksoi tutje se, kërcënimet e fundit në lidhje me krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, janë në gjurmët e “shpresave të kota të Haradinajt”, duke ia cilësuar edhe taksën 100% si një dështim të tijin.

“Ne rezistuam atëherë, ne do t’i rezistojmë të gjitha kërcënimeve dhe shantazheve në të ardhmen”, deklaroi tutje njeriu i afërt me Vuçiqin.

Ndryshe, Haradinaj të martën përmendi idenë e bashkimit kombëtar në formë kushtëzimi, nëse Serbia nuk e njeh diplomatikisht Kosovën.

“Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon.

Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”, ka shkruar i pari i AAK-së në Facebook, si kundërpërgjigje ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq./Insajderi.com