Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të refuzojë ankesën e nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinajt ndaj vendimit për paraburgim, transmeton Insajderi.
Më 24 dhjetor 2020 gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, kishte marrë vendim, me anë të së cilit i është vazhduar paraburgimi nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj.
Me 5 janar 2021 mbrojtja e Haradinajt kishte apeluar këtë vendim, ku më pas kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, kishte caktuar panelin e Gjykatës së Apelit.
Me anë të ankesës së parashtruar ndaj vendimit të gjykatësit paraprak ishte sfiduar ligjshmëria e paraburgimit fillestar dhe paraburgimit që ishte vazhduar, dështimi i gjyqtarit të procedurës paraprake për të adresuar argumentet e mbrojtjes, paanshmëria e procedurës për rishikimin e paraburgimit të Haradinaj, dështimi i gjyqtarit në procedurë paraprake për të dhënë arsye, dështimi për të identifikuar një rreziku konkret, baza mbi të cilën u refuzua kërkesa për një seancë dëgjimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, me 15 janar 2021, Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një shkrese drejtuar panelit të Apelit kishte konsideruar se ky apelim duhet të hedhet poshtë pasi është i pabazuar dhe me argumente të pabazuara të cilat nuk demonstrojnë ndonjë gabim në vendimin e gjykatësit paraprak. /Insajderi.com