Udhëheqësi i zyrës së HANDIKOS-it në Prishtinë, Faruk Kukaj, ka marrë pjesë sot në seancën fillestare në Gjykatën Themelore të Prishtinës në cilësinë e qytetarit të Prishtinës, me rastin e padisë që e kishte ushtruar para dy vitesh ndaj komunës së Prishtinës për diskriminim në qasjen infrastrukturore, transmeton Insajderi.
Me anë të një komunikate për media nga HANDIKOS, thuhet se Kukaj, pas seancës ka deklaruar me këtë rast se ai dhe personat të tjerë me aftësi të kufizuara e kanë problem lëvizjen në kryeqytet dhe në institucione, qoftë publike apo private.
“E kam vështirë të qarkulloj dhe të marr shërbime në institucione. Pastaj ne jemi diskriminuar se s’po mund të marrim pjesë si të tjerët. Sot ishte seanca përgatitore dhe u dëgjua pala mbrojtëse. Unë jam optimist dhe do të luftoj për të drejtat e mia”,u shpreh ai.
Drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, ka deklaruar se personat me aftësi të kufizuara në vazhdimësi janë të diskriminuar në lëvizje.
“Në bazë të ligjit, personat me aftësi të kufizuara janë të diskriminuar në lëvizje dhe komuna nuk ka bërë mjaft për ta sepse ka thënë që në rrugë do të bëjë lëvizjen e qasshme”, tha ai. /Insajderi.com