Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, sipas të cilit 47 kandidatë për deputetë që janë përfshirë në listat zgjedhore, përfshirë edhe Kurtin, kanë probleme me ligjin.
Bartësi i listës së VV-së ka deklaruar se ende nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve.
“Unë nuk jam në dijeni për kurrëfar vendimi të tillë të KQZ-së, nuk kemi marrë ndonjë shkresë, unë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as kryesia. Por, ajo cka po verej në Kosovë është një entuzjazëm i jashtëzakonshëm për zgjedhjet e 14 shkurtit”, u shpreh Kurti, për RTV Dukagjini
Tutje, i pari i VV-së ka thënë se institucionet e vendit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit dhe jo t’i vihen përballë atij.
“Ju e dini që unë jam bartës i listës dhe këtë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijesuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij”, tha ai.