Ndryshimet e mëdha të partive në listat zgjedhore

Listat zgjedhore për deputetë të partive më të mëdha në Kosovë kanë ndryshuar shumë nga zgjedhjet e kaluara. Kjo, për shkak të rrethanave politike, largimeve të individëve, aderimeve të reja dhe momentit politik.

Ndryshimet e mëdha të partive në listat zgjedhore

 

21 parti politike do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ndërsa numri i përgjithshëm i kandidatëve që synojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës është një mijë e 79, shkruan Insajderi.

Tashmë subjektet politike kanë publikuar listat me emrat e kandidatëve për deputetë.

Krahasuar me zgjedhjet e kaluara të 6 tetorit, disa nga partitë kryesore politike kanë bërë ndryshime të mëdha në listat e tyre, në veçanti Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Një ndër shkaqet e ndryshimit të listave të këtyre dy subjekteve janë zhvillimet nga Gjykata Speciale në Hagë, ku po mbahen në paraburgim ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe shefi i grupit parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi.

Listës së Vetëvendosjes në këto zgjedhje iu bashkua iniciativa e Vjosa Osmanit, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ishte më e votuara nga kjo parti e po ashtu politikanja më e votuar, pas kreut të VV-së, Albin Kurti.

Lista e kësaj partie u komentua në opinion publik që nga momenti i publikimit.

Kësaj liste, e bashkë me të edhe skenës politike në vend, iu kanë bashkuar disa emra jo shumë të zakonshëm si: Vasfije Krasniqi (e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë), Avni Dehari (babai i Astrit Deharit), Donika Gërvalla (ish-aktiviste e LDK-së në Gjermani dhe vajza e atdhetarit Jusuf Gërvalla), Ardian Gola (profesor universitar), Shqipe Mehmeti Selimi (bashkëshortja e Rexhep Selimit), Adriana Matoshi (aktore), të gjithë kandidatë që synojnë për herë të parë Kuvendin.

Listës së këtij subjekti edhe kësaj here do t’i prijë Albin Kurti, ani pse e drejta e tij për kandidim është akoma në pikëpyetje. Pas tij, në listë është radhitur Vjosa Osmani e pasuar nga Glauk Konjufca, i cili në rast të pamundësisë së Kurtit për të garuar në zgjedhje, është diskutuar si emër i mundshëm për bartës të listës.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, e cila në këto zgjedhje është pa të zotin e saj, Kadri Veselin, do të ketë bartës të listës kryetarin e saj në detyrë, Enver Hoxhaj, i pasuar nga Uran Ismaili dhe Eliza Hoxha.

Jo vetëm për shkak të mungesës së Veselit, por lista e kësaj partie pësoi ndryshime të mëdha edhe për shkak të aderimeve të shumta. Disa prej figurave publike që iu bashkuan PDK-së në prag të zgjedhjeve dhe tani janë kandidatë për deputet në Kuvendin e Kosovës janë: Rashit Qalaj (ish-drejtor i Policisë së Kosovës), Ramiz Kelmendi (biznesmen), Ardian Kastrati (profesor universitar), Faton Abdullahu (ish-analist politik), Arben Fetoshi (profesor universitar), etj.

Vlen të theksohet se në kuadër të listës së PDK-së do të garojë Lëvizja për Drejtësi.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është në mesin e partive politike që ka pësuar ndryshime, kjo pasi që bartësja e listës në zgjedhjet e 2019-ës, Vjosa Osmani, pas shkarkimit nga pozitat drejtuese brenda partisë, u largua dhe formoi një iniciativë të re me sloganin “Guxo”.

Tani listës së deputetëve të LDK-së do të ju prijë kryeministri në detyrë dhe njëherit nënkryetari i partisë, Avdullah Hoti, i cili në zgjedhjet e kaluara kishte numrin tre.

Përveç Osmanit, listës së LDK-në tashmë do t’i mungojë edhe ish-deputeti Haxhi Avdyli, i cili pas shkarkimit nga partia vendosi “të guxojë” me iniciativën e re.

Ndryshimeve në listë zgjedhore nuk i ka “shpëtuar” as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila në këto zgjedhje nuk do të garojë për të udhëhequr me qeverinë. Synimi i saj në zgjedhjet e 14 shkurtit është ulësja e presidentit të shtetit, të cilën synon ta zë kreu i partisë, Ramush Haradinaj.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara kur AAK-ja kandidonte në koalicion me Partinë Socialdemokrate, kësaj radhe ky subjekt do të garojë i vetëm me prijësin e saj, Ramush Haradinaj.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt dhe fushata dhjetëditore fillon në 3 shkurt.

Këto zgjedhje u imponuan nga Gjykata Kushtetuese, pas vendimit në rastin e deputetit Etem Arifi.

Gjykata më 21 dhjetor 2020 e rrëzoi Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti, që u zgjodh më 3 qershor 2020, me arsyetimin se është kundërkushtetuese, pasi vota e deputetit Etem Arifi, i dënuar me burgim prej një vit e tre muaj, ishte përcaktuese për qeverinë./Insajderi.com