Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kandidat për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, me rastin e 15-vjetorit të vdekjes së tij, transmeton Insajderi.
Kurti tha se në 15-vjetorin e vdekjes së Rugovës, e kujton insistimin e tij politik dhe përkushtimin e tij institucional.
“Sot bashkë me Presidenten e Republikës erdhëm që të vendosim një kurorë me lule të freskëta te varri i doktor Ibrahim Rugovës, Presidentit të parë të Republikës së parë të Kosovës nga viti 1992 dhe njëkohësisht Presidentit të parë të Kosovës pas çlirimit tonë. Duke kujtuar insistimin e tij politik, përkushtimin e tij institucional, qetësinë dhe durimin njerëzor”, deklaroi Kurti.
Më 21 janar kujtohet vdekja e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugovës.
Rugova u diagnostikua me një sëmundje të rëndë – e cila ia mori jetën brenda një periudhe të shkurtër.
Ai ishte themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe e udhëhoqi këtë parti deri në vdekje.
Pas luftës arriti që t’i fitonte dy palë zgjedhje nacionale. /Insajderi.com