Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, njëherësh edhe kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë pozitë në zgjedhjet e 14-shkurtit, ka thënë se institucionet janë të pavarura për të marrë vendime dhe nuk i takon politikës të vendosë për një gjë të tillë, njofton Insajderi.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se vendimi i tyre është obligim që duhet të respektohet.
“Përmbahuni nga fyerjet ndaj institucioneve të pavarura. Nuk i takon politikës të vendos se a kanë apo jo të drejtë ato institucione në vendimet që marrin. Ne kemi për obligim të respektojmë vendimet e tyre”, ka shkruar ai.
“Ne, po ashtu, mundemi që nesër të krijojmë bazën ligjore dhe Kushtetuese, në Kuvendin e Republikës, për të avancuar vendimmarrjen e këtyre institucioneve sipas standardeve me te larta evropiane”.
“Por, sot dhe çdo herë, u nënshtrohemi vendimeve të tyre. Ndryshe nuk ndërtohet shteti. Shteti nuk është lojë”. /Insajderi.com