Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit, për shkak se në listat e tyre nuk i kanë zëvendësuar kandidatët për deputetë që kanë probleme me ligjin.
Por, pavarësisht kësaj, ato ende nuk janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka njoftuar kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mul Desku.
“Ende nuk ka asnjë ankesë në PZAP, lidhur me moscertifikimin e disa subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre nga ana e KQZ-së”, ka thënë Desku për Exress.
Ndryshe, listat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike dhe Listës Srpska janë certifikuar nga ana e KQZ-së.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se subjektet politike dhe kandidatët që vlerësojnë se pa të drejtë nuk janë certifikuar, kanë të drejtë ankese në afat prej 24 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa./Insajderi.com